Shqipëria është një vend i vogël që nuk njihet shumë. Shumica e atyre që e njohin Shqipërinë ose shqiptarët nuk kanë një opinion të mirë dhe mendojnë se të gjithë shqiptarët janë kriminelë. Pjesa tjetër që kanë pasur kontakt me njerëz të mirë e punëtorë njohin anën tjetër të medaljes, pra dinë se shqiptarët janë njerëz punëtore, bujarë, mikpritës, inteligjent po ashtu njerëz që ndihmojnë njëri-tjetrin.
Arsyeja se pse kjo anë e shqiptarëve njihet më pak, është se sjelljet kriminale tërheqin më shumë vëmendje pasi transmetohen nëpër televizione, gazeta, internet, gjithandej nëpër media sociale. E gjitha kjo ndikon edhe tek pjesa e mirë e shqiptarëve që nuk i njohin personalisht, kjo sepse normalisht nuk bën lajm një shqiptar që e fiton bukën e gojës ndershmërisht, që shkon në punë çdo ditë, por krimet bëjnë lajm. Njerëzit duke parë gjithmonë të tilla lajme krijojnë steriotipin e shqiptarit kriminel.
Unë nuk e mohoj këtë pjesë dhe e kuptoj se pse është krijuar ky steriotip, por jam kundër përgjithësimit të gjërave. Çdo njeri është i ndryshëm nuk janë të gjithë njësoj. Shqiptarët me daljen nga diktatura u përballën me një ndryshim të madh, nga izolim total pa liri fjale dhe veprimi, në liri të plotë në një kohë shumë të shkurtër.
Ky ndryshim i dha mundësi njerëzve për të shprehur më mirë aftësitë e tyre. Njerëzit zgjodhën ata profesione ku ndiheshin ose bënin më mirë sepse dikur jo çdokush mund mund të mbaronte universitetin, ose të kishte punën që donte. Njerëzit që filluan lëvizjet për të ndryshuar sistemin, ishin ata që më pas morën në dorë qeverisjen e vendit.
Mirpo tek një pjesë e tyre kjo shtoi etjen për pasuri dhe pushtet, por kishte edhe njerëz vullnet mirë që donin të përmirsonin Shqipërinë. Duke qënë së ishte një vend shumë i varfër, kishte shumë korrupsion. Me para mund të blije një diplomë, një vend pune, mund të ngriheshe në detyrë. Nëse kishe një biznes dhe njihje dikë nuk paguaje taksa. Mund te ngisje makinën pa dokumenta mjafton që të paguaje policinë në rrugë, ose nëse njihje dikë në pushtet ishe i paprekshëm. Shumë të paaftë janë futur në punë si mësues, infermierë, policë, punonjës në administratë, etj sepse kanë një mik në pushtet ose kanë para ta blejnë vendin e punës.
Kjo ka ndikuar tek arsimimi i brezave që po vijnë. Korrupsioni ishte gjithnjë e më në rritje dhe krijoi një klasë politike të korruptuar, ku një deputet ose kryetar bashkie nuk mendon të zgjidhet për t’i shërbyer popullit, por e sheh si një mundësi për të bërë para. Kjo keq qeverisje ka krijuar shumë boshllëqe në zhvillimin ekonomik, duke filluar nga mos pagesa e taksave, shmangia e detyrimeve, puna në të zezë, përfitimi i asistencave padrejtësisht etj.
Kjo përkthehet në mosinvestime në infrastrukturë, normalisht edhe në ngadalësim të zhvillimit të vendit. Çdo ditë e më tepër po shtohet lufta kundër këtyre dukurive, edhe pse është shumë e vështirë sepse një pjesë e tyre që pretendojnë t’i luftojnë këto dukuri janë të vetpërfshirë, por pavarësisht kësaj po bëhen hapa pozitivë.
Për një të ri deri diku situata në Shqipëri është demoralizuese sepse papunësia është e madhe. Pasi mbaron universitetin ky i ri apo e re eshte pa shpresë se do gjejë punë, ose edhe nëse mund të gjejë vend punë duhet të njohë dikë për tu futur, ose dikush që ai njeh shumë mirë dhe nuk është as sa gjysma e tij . Vetem se ka para dhe njohje blen një diplomë dhe bëhet shefi yt, ose mesuesja e fëmijëve të tu që mezi kalonte klasën dhe sot jep mesim sepse ka paguar për ate vend pune, ose ifermierja e urgjencës që s’ia ka haberin ka paguar për tu futur në punë dhe pretendon se do ja marrë dorën me kalimin e kohës.
Fatmirësisht jo të gjithë janë ashtu, megjithatë është një fenomen që nuk duhet të ekzistojë. Dikush duhet të futet në punë sepse e meriton jo sepse ka mundësinë të blejë vendin e punës. Të rinjve u thuhet se janë e ardhmja dhe se kanë fuqinë të bëjnë ndryshimin, sigurisht sepse kanë energji, ide dhe guxim, por një pjesë e rinisë synojnë të largohen nga Shqipëria për shkakt të këtyre arsyeve. Ajo që i shtyn më tepër të rinjtë të largohen është se duke qënë se kthesat positive që po merr Shqipëria janë të vogla dhe hapat janë të ngadaltë, ata bëjnë krahasime me vende më të zhvilluara. Duke parë edhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit që pavarësish vështirësive që kanë kaluar, kanë një jetesë më të mire , i bën të mendojnë të ardhmen e tyre jashtë Shqipërisë.
Siç e përmenda edhe më lart, Shqipëria po merr kthesa pozitive edhe pse me hapa të ngadaltë.
Eshtë e vërtetë që ndryshimet ndoshta nuk vihen re pasi po ndodhin ne hapa te ngadaltë ama duhet t’ia nisësh nga diku, nuk mund të pretendohet që ndryshimet të ndodhin në pak vjet duhet shumë më shumë kohë dhe punë. Më e rëndësishmja është se ne po punojmë për ndryshim e vendit pasi nuk presim të vijë dikush të bëjë ndryshimin për ne.
Gentian Prenga